Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ndodhet në Tirana për një vizitë zyrtare.
Ai u prit fillimisht nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndërsa më pas zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë.
Pas takimit kokë më kokë, Rama dhe Dendias konsumuan së bashku një drekë zyrtare, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare publikoi një reagim të shkurtër në rrjetet sociale.
“Me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë”, shkroi Edi Rama.
Sipas mediave greke, në qendër të diskutimeve të ministrit Nikos Dendias në Tiranë ka qenë riaktivizimi i procesit për marrëveshjen e përcaktimit të kufijve detarë mes Shqipëria dhe Greqia.
Kjo çështje ka mbetur pezull prej afro gjashtë vitesh.
Në tetor të vitit 2020, Dendias, asokohe ministër i Jashtëm i Greqisë, dhe Edi Rama njoftuan se dy vendet do t’i drejtoheshin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi delimitimin detar.
Megjithatë, deri tani nuk është regjistruar përparim konkret në këtë proces.
Procesi për çështjen e detit u ndikua edhe nga tensionet mes dy vendeve për çështjen Fredi Beleri gjatë vitit 2023, duke e lënë këtë temë jashtë vëmendjes politike.
Në Shqipëri, procedura mbetet e lidhur me institucionin e Presidentit të Republikës, i cili duhet të mandatojë grupin negociator për bisedimet paraprake me palën greke.
Vizita e Nikos Dendias vjen pak javë pasi kryeministri Edi Rama u prit në muajin prill nga homologu grek Kyriakos Mitsotakis, ku të dy palët riafirmuan angazhimin për ta dërguar çështjen në Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Marrëveshja për zonat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, e firmosur në vitin 2009, u rrëzua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Më pas, në vitin 2018, qeveria shqiptare dhe ajo greke nisën raunde të reja negociatash për delimitimin e zonave detare, por pa arritur një marrëveshje përfundimtare.
Në dhjetor 2020, Greqia miratoi dekretin për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon, zhvillim që shkaktoi debate edhe në Shqipëri.
Asokohe, Edi Rama deklaroi se “e drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur”.
Axhenda e ministrit grek përfshin edhe një takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani.



