Një 22-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 muaj burg në Britani të Madhe, pasi u kap duke punuar në një shtëpi bari. Ai është Denis Kadiu, 22 vjeç me origjinë shqiptare.

Kadiu u gjet pas një muri të rremë në papafingo pas një informimi për aktivitete të paligjshme në Nelson Road në Gorleston. Gjatë kontrollit autoritetet zbuluan 102 bimë kanabisi të shpërndara në katër dhoma që përfshinte një sistem hidroponik dhe ventilimi, drita dhe tenda rritjeje.

Mediat britanike shkruajnë se autoritetet vlerësuan se vlera e bimëve arrinte deri në 250 mijë paund, ndërsa ambienti ishte përshtatur për të prodhuar disa cikle kultivimi.

Në seancën gjyqësore u tha se Kadiu ndodhej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kishte një vendbanim të përhershëm. Ai kishte pranuar më herët përfshirjen në prodhimin e kanabisit.

Avokati i tij mbrojtës, Rhys Higginson, deklaroi se i riu shqiptar ishte rekrutuar si kopshtar, për të shlyer një borxh droge dhe për të siguruar të ardhura për mbijetesë. Avokati i tij mbrojtës tha se Kadiu nuk kishte kuptuar plotësisht pasojat dhe rrezikun e përfshirjes në aktivitetin kriminal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re