Vaji i ullirit konsiderohet prej kohësh një nga ushqimet më të shëndetshme të dietës mesdhetare. Studimet tregojnë se konsumimi i rregullt i tij mund të lidhet me jetë më të gjatë dhe me një rrezik më të ulët për sëmundje kronike si sëmundjet e zemrës dhe diabeti i tipit 2.
Ndihmon në luftimin e inflamacionit
Vaji i ullirit përmban acid oleik, një yndyrë e shëndetshme me veti anti-inflamatore. Ai është gjithashtu i pasur me polifenole, përbërës me veprim antioksidues që ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga dëmtimet qelizore.
Ekspertët theksojnë se këto përbërës mund të ndihmojnë në uljen e faktorëve të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, përfshirë grumbullimin e pllakave në arterie.
Mund të ulë rrezikun e diabetit të tipit 2
Sipas një analize të publikuar në vitin 2022, konsumimi i rreth 25 gramëve vaj ulliri në ditë (afërsisht një lugë e gjysmë gjelle) lidhet me një ulje prej 22% të rrezikut për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Lidhet me jetëgjatësi më të madhe
Zëvendësimi i yndyrave si gjalpi apo margarina me vaj ulliri mund të sjellë përfitime afatgjata për shëndetin.
Studimet kanë treguar se personat që konsumojnë më shumë se dy lugë gjelle vaj ulliri në ditë kanë:
- 20% më pak rrezik vdekjeje nga të gjitha shkaqet;
- 23% më pak rrezik vdekjeje nga kanceri;
- 25% më pak rrezik vdekjeje nga sëmundjet e zemrës.
Gjithashtu, disa kërkime sugjerojnë se vaji i ullirit mund të mbështesë funksionet njohëse dhe të ndihmojë në ngadalësimin e rënies së aftësive mendore me kalimin e moshës.
A duhet ta pini si “shot”?
Megjithëse shumë persona konsumojnë vaj ulliri esëll në formën e një “shot-i”, aktualisht nuk ka prova shkencore që tregojnë se kjo mënyrë është më e dobishme sesa përdorimi i tij në sallata apo ushqime të tjera.
Megjithatë, vaji i ullirit i papërpunuar mund të ruajë më shumë përbërës të dobishëm sesa ai që i nënshtrohet temperaturave të larta gjatë gatimit.
Efektet e mundshme anësore
Edhe pse konsiderohet i sigurt për shumicën e njerëzve, konsumimi i vajit të ullirit në sasi të mëdha mund të ketë disa efekte të padëshiruara:
- Mund të shkaktojë parehati tretëse, veçanërisht kur merret esëll;
- Ka përmbajtje të lartë kalorike, rreth 119 kalori për lugë gjelle;
- Konsumimi i tepërt mund të kontribuojë në shtim në peshë.
Si ta përfshini në dietë?
Ekspertët rekomandojnë që vaji i ullirit të përdoret si pjesë e një diete të balancuar. Ai mund të shtohet në sallata, marinada, salca, të përdoret si zëvendësues i gjalpit ose për gatime me temperaturë të ulët dhe mesatare.
Në përgjithësi, përfitimet shëndetësore janë vërejtur te personat që konsumojnë nga gjysmë luge deri në rreth tre lugë e gjysmë vaj ulliri në ditë, si pjesë e një regjimi ushqimor të shëndetshëm.



