Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka lëshuar deklarata tejet të forta lidhur me protestën qytetare që po dridh kryeqytetin.

Kulluri e cilësoi situatën aktuale në Shqipëri si një ngulfatje të klasës së mesme nga një strukturë e korruptuar, ndërsa foli për kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Sali Berisha, të cilët sipas tij sillen si monarkë të përjetshëm.

Analisti ndau një detaj personal për të treguar se sa e pritshme dhe e domosdoshme ishte kjo revoltë për qytetarët e thjeshtë dhe profesionistët që ndihen të nëpërkëmbur nga arroganca e pushtetit.

“Këtu është krijuar një kupolë politiko-ekonomiko-kriminale që i ka marrë shpirtin Shqipërisë dhe klasës së mesme. Kjo njerëzit i acaron. Ime shoqe është profesioniste, kam 3 vite që e dëgjoj të thotë pse nuk del një protestë e tillë si kjo. Kush është Edi Rama që të thotë do iki kur të dua unë? Këtë e ka thënë Luigji XIV, që i prenë kokën pastaj! Ai e di shumë mirë këtë,” deklaroi Kulluri.

Më tej, Kulluri bëri një paralelizëm mes udhëheqësve aktualë të politikës shqiptare dhe monarkive më të egra të mesjetës, duke vënë në dukje mungesën e kontrollit dhe vetëpërmbajtjes prej tyre.

“Edhe monarkitë e mesjetës kanë pasur një kufizim, ligjin hyjnor dhe moral. As mbretërit nuk bënin çfarë të donin. Edhe ky tjetri që thotë do vdesë në krye të PD, Berisha…” u shpreh analisti, duke goditur kështu të dyja palët e establishmentit politik.

Në mbyllje të analizës së tij, Edvin Kulluri dha edhe strategjinë se si kjo lëvizje qytetare mund të arrijë qëllimet e saj, duke kërkuar që ditët në vijim bulevardi të mbushet edhe nga qytetarët që do të vijnë nga rrethet e tjera të Shqipërisë.

“Unë shpresoj që në ditët në vijim të ketë pjesëmarrje edhe nga rrethet. Protesta duhet të rrijë në bulevard. Qeveria bie në kryeqytet,” përfundoi Kulluri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re