Mungesa e mbikalimeve dhe nënkalimeve detyron banorët bashkë me bagëtitë të kalojnë përmes autostradës Levan-Tepelenë, duke krijuar situata të vazhdueshme rreziku.

Po aq problematike mbetet edhe shpejtësia e lartë e mjeteve, si dhe hyrje-daljet që lidhin fshatrat me aksin kryesor.

Përgjatë kësaj autostrade, në fshatrat Kafaraj, Cakran dhe Frakull, banorët thonë se mungojnë kalimet e sigurta.

“Është problem sepse të gjitha tokat bujqësore, më të shumtat janë në autostradë. Njerëzit ikin në punë, kalojnë bagëti. Është e nevojshme të ishte një nënkalim.”

  • “Kjo rruga është problematike se s’ka rrethrrotullim dhe kanë humbur jetën disa njerëz”, thonë banorët.

Edhe Policia Rrugore e Fierit e konsideron këtë aks ndër më problematikët.

Drejtuesit e mjeteve lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe kryejnë parakalime të rrezikshme. Situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë sezonit veror, kur trafiku drejt jugut të vendit rritet ndjeshëm.

  • “Ky aks rrugor ka problematikë të shtuar për aksidentet. Normat e sigurisë rrugore, lëvizin pa rrip sigurimi apo bëjnë manovra të gabuara”, thotë shefi i qarkullimit Rustem Plaka.

Ndërsa për mungesën e mbikalimeve dhe nënkalimeve, ai thotë se problematika i është referuar Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Përgjatë autostradës Levan–Tepelenë, lapidarët e ngritur në vendet ku njerëzit kanë humbur jetën janë dëshmi e tragjedive të ndodhura ndër vite.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re