Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Mal të Zi se pas debatit dhe protestave për projektin e shumëdiskutuar në Zvërnec po qarkullojnë narrativa të rreme të nxitura nga ajo që ai e cilësoi si luftë hibride kundër Shqipërisë.
Për herë të parë, Rama përmendi drejtpërdrejt regjimin iranian si një nga aktorët që, sipas tij, po kontribuon në përhapjen e dezinformatave lidhur me projektin që ende nuk është paraqitur dhe miratuar zyrtarisht.
Sipas kreut të qeverisë, në rrjetet sociale po qarkullojnë pretendime të pavërteta se pas investimit në Zvërnec fshihet një marrëveshje mes tij, Benjamin Netanyahu dhe Jared Kushner për të sjellë palestinezë nga Gaza në Shqipëri.
Rama theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar për t’u diskutuar dhe se shqetësimet duhet të bazohen në fakte konkrete, jo në informacione të pavërtetuara. Ai shtoi se arkitektë, inxhinierë dhe specialistë të njohur ndërkombëtarë janë angazhuar për të hartuar një projekt që synon zhvillimin e zonës pa dëmtuar natyrën.
Kryeministri deklaroi se janë shpërndarë edhe video të rreme në rrjetet sociale, të cilat sipas tij synojnë të krijojnë tension dhe perceptime të gabuara mbi situatën në Shqipëri.
Në të njëjtën dalje publike, Rama u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke kërkuar më shumë guxim politik nga Bashkimi Europian për të përfshirë gradualisht vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat vendimmarrëse të unionit, përpara anëtarësimit të plotë.
Ai argumentoi se vendet aspirante nuk duhet të mbahen në një “dhomë pritjeje” të pafundme, por të përfshihen më shumë në proceset europiane, duke marrë gradualisht më shumë përgjegjësi dhe përfitime.
I pyetur për afatet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Rama iu përgjigj me humor, duke thënë se ka tri gjëra që nuk mund të parashikohen: “Zoti, seksi dhe Bashkimi Europian”.
