Shtrenjtimi i çmimeve ka vijuar edhe në maj, duke reflektuar ndikimin nga lufta në Iran. Kjo ka bërë që sipas Instat inflacioni të arrijë në 3%. Kjo shënon normën më të lartë në dy vite e gjysmë si dhe përkon me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit e kanë dhënë transporti, shërbimet financiare, qiratë, argëtimi e shërbimet, të lidhura edhe me turizmin.

I ftuar në nje studio televizive, eksperti i ekonomisë Artur Ribaj u shpreh se kjo ishte një tendencë e paralajmëruar, pasi treguesit ekonomikë kishin sinjalizuar prej kohësh afrimin e inflacionit drejt objektivit prej 3%.

Sipas tij, përshpejtimi i këtij procesi është ndikuar nga tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë sjellë efekte të menjëhershme në tregje.

Eksperti theksoi se, në kushtet aktuale, nuk e sheh të nevojshme që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë me ndryshime në normën bazë të interesit.

“Kjo ishte një tendencë qe dukej, i kishte dhënë shenjat më herët, që të shkonte drejt objektivit prej 3%. Kjo u përshpejtua për shkak të luftës së Iranit dhe SHBA. Efekti psikologji dhe çmimi i shpërndarjes së produkteve te konsumatori ka qenë të menjëhershme, duke rritur barrën financiare.

Pra ndikim kryesor ka dhënë shtrenjtimi i karburanteve. Ka shtrenjtim të çmimeve dhe në sektorë që lidhen me turizmin. Nuk është momenti që Banka Qendrore të rishikojë normën bazë të interesit “, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re