Bruksel, 9 qershor 2026 – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala mori pjesë në forumin e 11-të botëror të kancerit 2026, organizuar nga revista prestigjioze “The Economist”, ku u diskutuan sfidat dhe zgjidhjet për garantimin e aksesit të barabartë në kujdesin ndaj kancerit në të gjithë Evropën.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Sala theksoi se pabarazitë në trajtimin e kancerit nuk mund të adresohen përmes reformave të fragmentuara, por kërkojnë transformim të plotë të sistemit shëndetësor, duke përfshirë parandalimin, depistimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin pas trajtimit.

Ajo nënvizoi se aksesi mbetet sfida kryesore në Evropë, duke theksuar se mundësitë për mbijetesë nuk duhet të varen nga vendbanimi i pacientit. Diagnostikimi i hershëm, qasja në trajtime inovative dhe zhvillimi i kapaciteteve të sistemeve shëndetësore janë faktorë vendimtarë për reduktimin e pabarazive.

Në panel, ministrja Sala prezantoi  reformat që Shqipëria po ndërmerr në sektorin e onkologjisë, ndër më të rëndësishmet në sistemin shëndetësor të vendit, me fokus në rritjen e aksesit, cilësisë dhe barazisë në shërbime. Këto përfshijnë:

Krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit si qendër kombëtare për kujdesin e integruar, kërkimin shkencor dhe edukimin;
Decentralizimin e shërbimeve të onkologjisë mjekësore përmes forcimit të njësive rajonale;
Modernizimin e shërbimit kombëtar të radioterapisë;
Përmirësimin e legjislacionit për barnat dhe pajisjet mjekësore, duke e harmonizuar atë me standardet e Bashkimit Evropian;
Përshpejtimin e transformimit digjital në shëndetësi për të përmirësuar koordinimin e kujdesit, sistemet e referimit dhe përdorimin e të dhënave shëndetësore.

Ministrja Sala theksoi se suksesi i politikave të kancerit nuk duhet të matet vetëm me përparimet shkencore, por edhe me aftësinë e sistemeve shëndetësore për të ofruar diagnozë më të shpejtë, kohë më të shkurtra pritjeje dhe kujdes më të koordinuar për pacientët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re