Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të vendeve të BE, kryeministri Edi Rama është pyetur lidhur me protestat masive që po zhvillohen në vend.

Një prej gazetarëve të huaj ngriti pyetjen nëse përhapja e tubimeve përtej çështjeve specifike, siç është zhvillimi bregdetar, dhe prekja e temave të tjera përbën një shqetësim për kreun e qeverisë.

Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se Shqipëria është një vend i lirë dhe bëri një krahasim me të shkuarën, duke kujtuar ngjarjet e vitit 2011 në bulevardin kryesor.

“Ky është një vend i lirë. Unë vetë kam qenë pjesëmarrës në protesta. E di shijen e momentit kur ke vështirësi të protestosh, di edhe shijen e gjakut, kur protesta ndodh në një realitet jo të lirë. Në këtë bulevard, jo një shekull më parë, por vetëm më pak se 20 vite më parë, ose më konkretisht në vitin 2011, janë vrarë 4 protestues me armë sulmi nga kjo ndërtesë. Është gjë e mirë që njerëzit të protestojnë, por është një tjetër arritje e kësaj dekade, edhe pse mund të duket e vogël. Është një arritje për të cilën shqiptarët kanë luftuar gjatë,” u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë shpjegoi për gazetarët e huaj se zanafilla e këtij reagimi qytetar lidhet me një ngjarje specifike dhune të ndodhur pak më shumë se një javë më parë.

Sipas Ramës, protesta u provokua nga një akt i shëmtuar dhune, por papritur sipas tij, çështja u zgjerua papritur duke prekur çdo gjë tjetër. Protestat nisën pas aktit të dhunës ndaj një protestuesi, por shpejt revolta nisi kundër qeverisë dhe kreut të saj, Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij në mënyrë të përsëritur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re