Këto janë pamjet nga Sheshi Italia në përgatitjen e podiumit, ku në orën 18:00, socialistët nga e gjithë Shqipëria do të festojnë 35-vjetorin e partisë së tyre.
Ky eveniment për partinë qeverisëse, vjen si një kulminacion pas një turi vlerësimi dhe mirënjohje për socialistët e vjetër e të rinj në 12 qarqe për kontributin në këto dekada ekzistencë të kësaj force politike. Gjatë paradites të kësaj të premteje, Edi Rama të gjithë socialistëve i përcolli përmes rrjeteve sociale këtë urim.
- “Me urimin për çdo anëtar e anëtare të familjes sonë të madhe politike, në këtë 35-vjetor të Partisë Socialiste, si edhe me bindjen e patundur në misionin tonë historik për të ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e Europës së Bashkuar”.
Ky 35 vjetor e gjen PS në mandatin e 4 qeverisës dhe është një ditëlindje ndryshe për për shkak te aktualitetit dhe protestave ku kërkohet largimi nga skena politike e kryeministrit Rama dhe udhëheqësit të opozitës Berisha. Pritet që në fjalën e tij kryetari i PS, Edi Rama, të përcjell mesazhe për të gjithë ecurinë, projektin në Zvërnec.
Vlen për tu parë së çfarë mesazhesh të reja do të ketë Edi Rama për protestuesit të cilët do të jenë vetëm rreth 500 metra larg nga Sheshi Italia në të njëjtën orë kur ai do të mbajë fjalën përshëndetëse përpara socialistëve. Ky 35 vjetor e gjen PS pa liderin saj historik Fatos Nanon dhe profesorin e socialistëve Servet Pëllumbin, të ndarë nga jeta së fundmi.
Për mbarëvajtjen e protestës në bulevardin dëshmorët e kombit dhe këtij eventi të socialistëve në Sheshin Italia, Policia e Tiranës njoftoi se nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve dhe tubimit, do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore duke nisur nga rruga “Papa Gjon Pali II deri në rrugën “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”. Gjithashtu, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te sheshi “Nënë Tereza”./ Top Channel
