Platformat e njohura të mediave sociale, Facebook dhe Messenger, kanë pësuar një ndërprerje të gjerë në mbarë botën, duke lënë mijëra përdorues pa qasje në llogaritë e tyre.

Problemet kanë prekur si aplikacionet mobile ashtu edhe versionet desktop dhe faqet zyrtare të internetit të këtyre shërbimeve.

Shumë përdorues raportuan se u nxorën automatikisht nga llogaritë e tyre, ndërsa përpjekjet për t’u kyçur sërish rezultuan të pasuksesshme. Gjatë tentativave për hyrje, shfaqej një mesazh që njoftonte se kishte ndodhur një “gabim i papritur”.

Edhe faqja kryesore e Facebook-ut shfaqi një njoftim të ngjashëm, ku vizitorëve u thuhej se “diçka shkoi keq” dhe se kompania po punonte për të zgjidhur problemin sa më shpejt të ishte e mundur.

Deri tani nuk ka një deklaratë të detajuar mbi shkakun e ndërprerjes, ndërsa përdoruesit nga vende të ndryshme të botës kanë raportuar vështirësi në përdorimin e platformave.

Kjo është një nga ndërprerjet më të mëdha të raportuara së fundmi për Facebook dhe Messenger, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet e tjera sociale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re