Një aksident me pasojë vdekjen e një fëmije ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Korçë-Ersekë, në afërsi të fshatit Kamenicë.

Burime paraprake bëjnë me dije se një automjet ka përplasur fort një fëmijë, i cili në ato momente ka qenë duke ecur në rrugë. Goditja ka qenë mjaft e rëndë dhe fatale për të miturin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë menjëherë.

Fëmija ka qenë i shoqëruar nga nëna e tij, e cila ka parë të gjithë skenën e tmerrshme.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Korçë / Informacion paraprak

Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në fshatin Kamenicë, një automjet tip “Nissan”, me drejtues shtetasin Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë (nënë e bir), shtetasen Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, fëmija i mitur ka ndërruar jetë në spital, ndërsa shtetasja Sh. M. po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh. V., për kryerjen e veprimeve procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re