Një studim i ri i realizuar nga Universiteti Stanford ka zbuluar se një ndryshim i vogël në mënyrën e ecjes mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve të gjurit te pacientët me osteoartrit, duke arritur rezultate të ngjashme me ato të ilaçeve kundër dhimbjes.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet Rheumatology, u përqendrua te pacientët me osteoartrit të lehtë deri mesatar në pjesën e brendshme të gjurit, zona që mban peshën më të madhe të trupit dhe preket më shpesh nga kjo sëmundje.

Shkencëtarët zbuluan se ndryshimi i këndit të shputës gjatë ecjes, i përshtatur për secilin pacient sipas mënyrës së tij natyrale të lëvizjes, mund të zvogëlojë ndjeshëm ngarkesën mbi nyjën e dëmtuar të gjurit.

Pjesëmarrësit iu nënshtruan analizave të ecjes dhe rezonancës magnetike, ndërsa për gjashtë javë u trajnuan për të adoptuar modelin e ri të ecjes. Më pas, ata vazhduan ta praktikonin të paktën 20 minuta në ditë derisa kjo mënyrë lëvizjeje të bëhej e natyrshme.

Pas një viti, rezultatet treguan se pacientët raportuan më pak dhimbje krahasuar me grupin placebo. Për më tepër, ekzaminimet e reja me rezonancë magnetike treguan përmirësim të gjendjes së kërcit të dëmtuar.

Studiuesit theksojnë se kjo metodë mund të jetë veçanërisht e vlefshme për pacientët më të rinj, të cilët përballen me përdorimin afatgjatë të ilaçeve kundër dhimbjes përpara se të kenë nevojë për zëvendësim të nyjës së gjurit.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se nevojiten metoda më të thjeshta dhe më të përballueshme për analizimin e ecjes, në mënyrë që kjo teknikë të mund të përdoret gjerësisht në terapinë fizikale dhe praktikën klinike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re