Në një treg pune gjithnjë e më konkurrues, çdo detaj në një CV mund të bëjë diferencën mes një interviste pune dhe një refuzimi.
Sipas një raporti të CareerBuilder, pothuajse një në katër menaxherë punësimi shpenzon më pak se 30 sekonda duke shqyrtuar një CV, duke e bërë thelbësore përdorimin e fjalëve të duhura.
Këshilltari i karrierës në Harvard University, Gorick Ng, paralajmëron se disa shprehje të zakonshme jo vetëm që nuk ndihmojnë, por mund ta bëjnë një kandidat të duket më pak profesional në sytë e rekrutuesve.
Sipas tij, ndër gabimet më të zakonshme janë përdorimi i ndajfoljeve si “shumë”, “jashtëzakonisht” ose “tepër”, të cilat shpesh përdoren për të përshkruar aftësitë personale pa ofruar prova konkrete. Eksperti rekomandon që kandidatët të fokusohen te rezultatet dhe arritjet e matshme.
Një tjetër gabim është përdorimi i përshkrimeve të përgjithshme për veten, si “i orientuar drejt detajeve”, “punëtor” apo “i përgjegjshëm”. Sipas Ng, këto cilësi duhet të reflektohen përmes përmbajtjes dhe organizimit të CV-së, jo thjesht të deklarohen.
Po ashtu, ai e konsideron të panevojshme frazën tradicionale: “referencat ofrohen sipas kërkesës”, pasi punëdhënësit e dinë tashmë se mund t’i kërkojnë ato nëse kandidati kalon në fazat e mëtejshme të procesit të punësimit.
Eksperti këshillon që para dërgimit të CV-së, kandidatët të rishikojnë me kujdes çdo fjalë dhe të sigurohen që dokumenti të jetë i qartë, konkret dhe i fokusuar te rezultatet.
Në një dokument që lexohet për pak sekonda, qartësia dhe faktet konkrete kanë shumë më tepër vlerë sesa vetëlavdërimet dhe shprehjet e përgjithshme.
