Situata politike dhe sociale në vend mbetet e tensionuar, teksa kryeqyteti hyn sot në ditën e 16-të të protestave masive, ku kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në nje interviste televizive, analisti Fatos Lubonja ka bërë një skanim të asaj që po ndodh në sheshet dhe rrugët e Tiranës.

Sipas Lubonjës, reduktimi i protestës nga ana e mazhorancës si një reagim thjesht “ambientalistik” për çështjen e Zvërnecit është një gabim i madh. Ai përdori një metaforë të fortë, duke e krahasuar zemërimin qytetar me një rezervuar të madh uji që ka 35 vite që mbushet dhe që tashmë ka çarë digën e pushtetit.

“Nëse do bëja një krahasim, do ishte ky. Dikush thotë se ishte Zvërneci shkaku i protestës, por janë 35 vjet që janë akumuluar, një ujë zemërimi, që akumulohet vazhdimisht dhe bën një masë të madhe ujore.

Imagjinoni një rezervuar të madh me zemërim dhe më pas është një moment ku diga e pushtetit pëson një çarje dhe shpërthen. Kjo ndodh. Kush e lexon këtë siç kërkon të na thotë kryeministri se është vetëm një gjë për ambientalistët, gabohet”, u shpreh analisti.

Më tej, Lubonja u ndal te zanafilla e këtij sistemi që sipas tij ka shkatërruar vendin, duke filluar që nga skemat piramidale të viteve ’90 e deri te futja e parave të pista në dy dekadat e fundit.

“Thelbi i protestës është se kemi pasur klasë politike që e filloi Shqipërinë pas-komuniste me piramida mashtruese që grabitën njerëzit. Ky sistemi i shqiptarit që grabit shqiptarin.

Më pas filluan këto piramida të tjera me oligarkë që shkatërruan Tiranën, mbaruan edhe ato hapësirat publike të njerëzve. Politika mendonte se i mjaftonin të fuqishmit dhe të tjerët i sundon. Në kohën e Edi Ramës, në 20 vitet e fundit u futën edhe paratë e krimit të organizuar”, tha Lubonja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re