Deputeti dhe kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka lëshuar akuza të forta përmes një deklarate për mediat nga jashtë ambienteve të Parlamentit.

Shehaj u shpreh i bindur se largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit është tashmë i vendosur nga qytetarët, ndërsa shtoi se mazhoranca aktuale ka si hall të vetëm shpëtimin nga drejtësia.

Sipas tij diskutimi aktual nuk është nëse Rama do të largohet apo jo, por se edhe sa ditë do të arrijë të durojë përballë presionit të qytetarëve.

Ai komentoi edhe zërat që qarkullojnë mes protestuesve për skenarët e mundshëm pas largimit të shefit të qeverisë, duke hedhur poshtë idenë e një qeverie teknike.

Shehaj theksoi se nuk ka asnjë shans që Parlamenti aktual të votojë një kryeministër të ndershëm për një qeveri tranzitore, pasi sipas tij, deputetët e shumicës janë në shërbim të të korruptuarve si Edi Rama dhe nuk do të pranonin kurrë një figurë me integritet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re