Zëri i diasporës shqiptare në Kanada i është bashkuar protestave masive kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë.

I ftuar në studion e News24, aktivisti i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Nador Bakalli, i cili jeton prej 23 vitesh në Kanada, ka rrëfyer arsyet e kthimit të tij dhe revoltën ndaj klasës politike aktuale.

Bakalli u shpreh se emigrantët shqiptarë u larguan nga atdheu prej hallit dhe të dëbuar nga sistemi, ndërsa theksoi se diaspora refuzon të trajtohet thjesht si një shifër statistikore turizmi nga qeveria.

“Jetoj prej 23 vitesh në Kanada. Ika për një jetë më të mirë që nuk e gjeja dot në Shqipëri. Ne ikëm atje për të qenë të vërtetë, për të mos qenë të pavërtetë këtu. Kthimi ynë është për një arsye: kemi zgjedhje vetëm të vijmë si turistë dhe na numërojnë si turistë. Ne duam që të mos jetë kjo edhe për fëmijët e mi. Ne kemi ikur prej hallit. Na kanë dëbuar e degdisur”, deklaroi Bakalli, duke shtuar se në Kanada janë organizuar me sukses 3 protesta në përkrahje të tubimeve në Tiranë.

Duke bërë një paralizëm me rrëzimin e regjimit komunist në vitin 1990, aktivisti tha se revolta e sotme ka ardhur si pasojë e mbushjes së kupës nga ana e pushtetit, ku si shkëndijë shërbeu ngjarja e Zvërnecit.

“Kjo është një gotë që ranë pikat e fundit dhe u derdh. Në vitin ’90 u bë sebep një gjenerator që të shpërthente ajo që ndodhi. Këtu u bë sebep Zvërneci, por ka një mal me të këqija për të cilat duhet ngritur zëri. Është thyer frika dhe jam shumë krenar për të rinjtë tanë. Mua më është dukur vetja në shesh si të pjesa e moshës së madhe, sepse ishin të rinjtë që dominonin protestën”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, Nador Bakalli lëshoi akuza të rënda ndaj modelit qeverisës, ku sipas tij, krimi i organizuar ka kapur çdo qelizë të shtetit, ndërsa politikanët që anatemojnë emigrantët nuk justifikojnë dot as pasurinë më minimale.

“Ata të rinj e kuptojnë se me mënyrën si ecën ky vend, i dominuar nga krimi i organizuar, spitalet janë për faqe të zezë, krimi bën kërdinë, cakton deputetë… Deputetët anatemojnë emigrantët që armën më të mirë kanë meritokracinë, që kanë shkuar jashtë dhe kanë punuar me djersën e ballit. A kanë fytyrë këta që nuk justifikojnë dot një celular që kanë në xhep? Janë hipokritë! Diaspora është absolutisht me shqiptarët këtu. Ky vend nuk ka të ardhme nëse nuk bëjmë ndryshimin themeltar”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re