Ndërsa kryeqyteti përgatitet për të pritur sot protestën e 26-të radhazi kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, analisti Edvin Kulluri, i ftuar në programin e drekës në News24, ka bërë një analizë të situatës politike dhe frymës që po dominon sheshin.

Sipas Kullurit, kjo lëvizje masive qytetare nuk po kërkon një revolucion si ai i vitit 1990 për përmbysje sistemi, por një restaurim të domosdoshëm të demokracisë dhe të rregullave të lojës që janë shkatërruar nga autokracia e kryeministrit.

Analisti bëri një krahasim historik me lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990, duke theksuar dallimet me situatën aktuale, por edhe nevojën për t’u kthyer te vullneti fillestar i shqiptarëve.

“Protestat në vitin 1990 nisën prej protestës së studentëve. Kjo ndodhi me formimin e PD dhe mbështetjen e qytetarëve. Ai ishte revolucion, përmbysja e një sistemi politik. Sot nuk jemi në kushtet e revolucionit, por në kushtet e një përmbysjeje të elitës politike, dhe në kushtet e një restaurimi të demokracisë të cilën kemi dështuar ta ndërtojmë siç duhet në 35 vite. Restaurimi në këtë rast është gjë e mirë shumë. Duhet të shkojmë në vullnetin e shqiptarëve të atyre viteve.”

Kulluri zbërtheu arsyet kryesore se pse qytetarët kanë mbushur sheshin për gati një muaj rresht, duke vënë gishtin te rënia e shtetit të së drejtës dhe mungesa e garës.

“Sot kemi një miks autokraci, demokraci. Kemi një autokrat si Edi Rama. Ndaj njerëzit kanë dalë aty, sepse sistemi nuk funksionon. Nuk kemi garë politike, as zgjedhje të lira, as qarkullim elitash, nuk kemi garë në tregm, kemi një qeveri që sillet në mënyrë selektive me këdo që ka përballë. Janë prishur gjithë rregullat e lojës dhe ndaj kemi dalë në shesh”, tha ai.

I pyetur mbi zërat për përçarje të mundshme të protestës, analisti hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se larmia e rrymave në shesh e bën atë një shumicë legjitime kombëtare.

“Nuk shoh njerëz që duan ta përçajnë protestën. Në protestë ka ambientalistë, të majtë, të djathtë, të qendrës, ka shumë rryma që po t’i mbledhësh arsyet e bën të natyrshme këtë protestë dhe e bën shumicë të flukseve të shoqërisë.”

Kulluri u shpreh se megjithëse ende nuk ka ardhur momenti i përplasjes finale mes njerëzve në shesh dhe mazhorancës, pesë pikat e shpallura nga protestuesit janë baza e duhur për të hapur rrugën e ndryshimit të madh në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re