Ashtu si çdo 27 qershor në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer në Konispol, u përkujtua 82 vjetori i jetëve të humbura nga gjenocidi grek ndaj popullsisë shqiptarë të Çamërisë.

Qindra çamë të moshuar të mbijetuar të luftës, dikur fëmijë, nipër e stërnipër të tyre, por edhe kosovarë të ardhur enkas ishin pjesë e nderimeve për jetët e humbura në mënyrë çnjerëzore të familjarëve të tyre.

Kryetari i bashkisë së Konispolit, Ergest Dule e cilësoi Kllogjerin si një vend pelegrinazhi për shqiptarët e Çamërisë dhe ftoi të gjithë të nderonin me heshtje kujtimin e viktimave.

Disa prej të pranishmëve kujtuan familjarët e humbur gjatë eksodit të vitit 1944.

Në ceremoni foli edhe një e re nga Kosova, e cila bëri thirrje që viktimat e gjenocidit të mos kujtohen vetëm një ditë në vit.

Ceremonia përfundoi me vendosjen e kurorave dhe luleve pranë Memorialit të Viktimave të Genocidit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re