Skip to content

Shpërndarje e dhunshme e protestuesve, 35 jetë të humbura në Sudan

Sudsan

Të paktën 35 demonstrues u vranë dhe qindra plagosën të hënën pasi forcat e sigurimit sudanez ndërhynë për të “pastruar” kampin kryesor të protestës pranë selisë së ushtrisë në kryeqytetin Khartoum.

Shifrat e fundit u njoftuan nga organizatorët e protestës, Komiteti Qendror i Mjekëve të Sudanit.

Dëshmitarë okularë thanë se forcat e sigurisë përdorën armatim dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët kanë qenë të vendosur në afërsi të selisë ushtarake që nga përmbysja e presidentit Omar al-Bashir.

“Milicitë e lidhura me qeverinë ushtarake kanë sulmuar me agresivitet mijëra civilë në shesh,” tha Shoqata Profesionale Sudaneze (SPA) në një deklaratë të mëparshme.

Negociatori i opozitës Abbas Medani u plagos rëndë gjatë intervenimit, njoftojnë dëshmitarë okularë. Protesta e hapur pranë selisë së ushtrisë ka qenë epiqendra e protestave, duke kërkuar që ushtria t’i dorëzojë pushtetin një qeverie civile.

Në fillim të prillit, struktura ushtarake e Sudanit rrëzoi al-Bashir pas muajsh demonstrata popullore kundër sundimit të tij 30-vjeçar.

Ushtria tani është duke mbikëqyrur një periudhë tranzitore dyvjeçare  gjatë së cilës është zotuar të mbajë zgjedhje presidenciale.