“Të gjitha institucionet të vihen në gatishmëri të plotë, për të shmangur çdo problematikë që mund të haset gjatë sezonit veror turistik,” kështu u shpreh Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula gjatë një takimi me të gjitha inspektoratet rajonale të qarkut të Beratit ndërsa shtoi se: Për çdo subjekt që ndot lumin apo mjedisin do ketë gjoba”.

“Ka një numër të shtuar të turistëve. Do të duhet që AKU-ja të jetë jashtëzakonisht e vëmendshme që mos të na ndodhi asnjë lloj problematike. Duhet të ketë një numër të shtuar të kontrolleve që të mos krijohen situata të vështira nëpër restorante, hotele apo bujtina,” u shpreh Kryeinspektori Sula.

Kryeinspektori Sula tha gjithashtu se në gatishmëri të plotë gjatë këtij sezoni do të jetë edhe Inspektorati i Higjienës dhe ai i Shëndetësisë.

“Sigurisht institucionet do të vazhdojnë punën, do të ushtrojnë funksionin ekonomik të tyre, por brenda të gjithave rregullave” shtoi ai.

Ndër të tjera Kryeinspektori Sula tha se ka një raport të detajuar çdo institucioni në varësi të tij, në lidhje me çdo problematikë të hasur, ku një nga më të rëndësishmet është edhe masakra mjedisore, e shkaktuar prej vitesh nga operimi i firmave të nxjerrjes së pllakave të gurit dekorativ nga mali i Tomorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re