Taulant Balla, si në rolin e një Kujdestari të famshëm të një filmi të realizmit socialist, ka vendosur të vihet në ballë të mbrojtjes së një sistemi gjithnjë e më të kontestuar nga shqiptarët. Kjo është e drejtë e tij. Por jo duke shkelur me të dyja këmbët parimet e proporcionalitetit që i kërkohet të respektohen jo vetëm drejtësisë, por edhe deputetëve.

Përtej sharjeve monstruoze si “mbetje” apo “kriminelë” të të gjithë qytetarëve pa përjashtim që protestonin në të drejtën e tyre para Kuvendit me metoda që nuk mund të mos konsiderohen si perëndimore, si vezët dhe mielli (në Perëndim i preferojnë tortat e gatshme), kryedeputeti i Ramës, ashtu si shefi i tij, nxori edhe artilerinë e rëndë putiniste. Ai deklaroi para Parlamentit se tani në atë që po ndodh është dora e Kremlinit. S’e ka gabim. Por nëse dorë të Kremlinit ka, ajo nuk është te protesta, por te metodat e kësaj mazhorance. Ashtu si Kremlini, që i trajtoi protestuesit e parë kundër “operacionit special në Ukrainë” si “agjentë të Perëndimit”, edhe balli i mazhorancës adopton të njëjtat reflekse dhe formula të gatshme verbale për protestuesit shqiptarë, si të shitur te të huajt, armiq të Shqipërisë.

Ashtu si Kremlini, në një fazë të dytë filloi t’i përcaktonte protestuesit si kriminelë që prishnin rendin publik dhe qetësinë e rusëve të thjeshtë, kriminelë i quan edhe Taulant Balla të gjithë ata që nuk duan ta shohin më atë dhe gjithë mazhorancën e tij në Parlament. Dhe, së fundmi, ashtu si Kremlini filloi nga arrestimet e protestuesve me motivin se iu kundërvunë policisë deri në masën ekstreme të ndalimit të protestave, në këtë rrugë kanë filluar të hyjnë tani dyshja Rama – Balla. Ndaj jo, fryma e Kremlinit nuk është aspak në bulevard, por te godina përbri.

A s’qe dhe a nuk është Vladimir Putin ai i cili i trajton ukrainasit që thjesht mbrojnë vendin e tyre, si nazistë dhe naziskinë?

Çfarë tha sërish Edi Rama sot, në ditën e 32-të të protestave, ndaj shqiptarëve që duan edhe ata të mbrojnë vendin e tyre nga pushtimi i betonit dhe parasë së ndotur? U deklaroi me një krahasim që e ka për zemër që nga dita e parë e revoltës së shqiptarëve:
“Çohu nga kafja”, thoshin skuadronet e Musolinit… “Po çohu nga kafja” ishin ato thirrje nga këmishat e murrme të atij tjetrit në Mynih. Mbetje, kriminelë, fashistë musolinianë, nazistë hitlerianë… ky është fjalori ordiner i lidershipit të këtij vendi. Ju flet Tirana apo Moska?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re