Aktivisti Ilir Xhemalaj në studion e News24 deklaroi se protestat e qytetarëve do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në “Programin e Drekës” me Ola Bruko, Xhemalaj u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen tubimeve të përditshme para Kryeministrisë, duke theksuar se presioni qytetar do të vazhdojë derisa, sipas tij, të arrihet objektivi i protestës.
Sipas Xhemalajt, pjesëmarrja e përditshme në shesh është dëshmi e vendosmërisë së qytetarëve për të mos u tërhequr nga kërkesa e panegociueshme e tyre që është dorëheqja e Ramës.
Ilir Xhemalaj: Protestat do të vazhdojnë, çdo ditë, do të jenë të qeta. Ne nuk bëjmë pushim. Do të marrim edhe çadër me vete po të jetë nevoja, do të rrimë aty edhe në gusht, deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe jo vetëm, por të të gjithë klasës politike 80-vjeçare që ka uzurpuar shtetin shqiptar. Të çlirohet kjo energji që kanë këta të rinj në atë shesh dhe të marrin fatet në dorë. Jemi në vitin 2026 dhe nuk kemi ujë në lagje, nuk ka rrugë, pensionet me 100 mijë lekë, spitalet nuk punojnë, onkologjiku nuk ka shërbim. Çdo gjë këtu është shkatërruar. Si mund të hyjmë në Europë në këtë gjendje ku jemi.
Ndërkohë, Xhemalaj tregoi edhe kushtin e organizatorëve të protestës për deputeten që u shkëput nga grupi parlamentar socialist, Marjana Koçeku, e cila ka kërkuar t’i bashkohet tubimeve për largimin e qeverisë.
“Ai shesh është i madh, ka shumë rryma, grupime, kushdo është i mirëpritur të vijë. Për zonjën Koçeku kemi thënë se është e mirëpritur pasi të lërë mandatin e deputetes, si qytetare e thjeshtë ëshë e mirëpritur. Përndryshe platformën e ka në Parlament, të kundërshtojë të gjitha ligjet, në shumicën e tyre ka votuar edhe vetë. Patjetër ajo e ka atë platformë. Nëse do të vijë në shesh, të vijë si qytetare e thjeshtë. Zonja ka dashur të fliste në foltoren tonë. I kemi thënë protesta është apartiake, mund të vijë të flasë si qytetare e thjeshtë pasi të lërë mandatin. Përsa kohë ka mandatin, mund të vijë në protestë, por jo të flasë”, tha ai.
