Nga Maxime Dhuin, HUFFINGTON POST

“Shqipëria nuk është në shitje”

Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë në atë që konsiderohet protesta më e madhe deri më tani kundër projektit të resortit luksoz në Zvernec.

Demonstrata, e zhvilluar më 4 korrik, shënoi ditën e 35-të radhazi të lëvizjes së quajtur “Revolucioni i flamingove rozë”.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik në zonën e mbrojtur të Zvernecit dhe zhvillimin e ishullit të Sazanit si destinacion turistik luksoz.

Protestuesit kundërshtojnë projektin, duke argumentuar se ai rrezikon ekosistemin e zonës, veçanërisht lagunën që shërben si habitat dhe pikë migrimi për flamingot rozë dhe shumë specie të tjera shpendësh.

Demonstruesit marshuan drejt Kryeministrisë me pankarta ku shkruhej “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa mbanin edhe figura gjigante të flamingove rozë. Një grup protestuesish solli simbolikisht edhe një tortë prej betoni, në referencë me ditëlindjen e kryeministrit Edi Rama.

Lëvizja protestuese ka fituar vëmendje ndërkombëtare. Sipas mediave të huaja, kundërshtimi ndaj projektit është shndërruar në një simbol të pakënaqësisë ndaj mënyrës së menaxhimit të investimeve strategjike dhe mungesës së transparencës nga qeveria shqiptare.

Çështja ka mbërritur edhe në institucionet evropiane. Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, e cila drejton një komision hetimor të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ka paralajmëruar se negociatat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian mund të ndikohen nëse qeveria nuk respekton standardet mjedisore të BE-së.

Në një deklaratë për The Guardian, Strik theksoi se ndërtimi i një kompleksi kaq të madh në një zonë të mbrojtur përbën një rrezik serioz për mjedisin dhe i bëri thirrje qeverisë shqiptare të rishqyrtojë projektin, duke vlerësuar se prioritet duhet të mbetet procesi i integrimit evropian.

Projekti, me një vlerë të raportuar prej rreth 4.6 miliardë dollarësh, është përballur me kundërshtime që prej prezantimit të tij në vitin 2024, ndërsa vala e fundit e protestave nisi pas vendosjes së gardheve dhe hyrjes së makinerive të ndërtimit në zonën bregdetare në fund të muajit maj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re