Avokati i njohur Spartak Ngjela ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe protestave 40 ditore në Tiranë, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Ngjela tha se Rama nuk po arrin të kuptojë mesazhin e protestuesve që prej ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij, ndërsa e përshkroi përplasjen aktuale si një ballafaqim mes “logjikës së rinisë universitare” dhe “botës së ngjyrave” të piktorit Edi Rama.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një krizë morale, ndërsa kryeministri nuk largohet nga pushteti sepse, sipas tij, ende nuk e konsideron të përfunduar “tablonë” e pushtetit të tij personal.

Postimi i Ngjelës
Mijëra shqiptarë në Bulevardin kryesor të Tiranës bërtitën gjatë dje pasdite:
Rama jepe dorëheqjen.
Po Rama?
“Kam 83 deputetë”, përsëriste ai.
Ndërsa rinia universitare bërtiste në Bulevard:
Rama jepe dorëheqjen.
Po Rama?
Rama nuk kupton sepse arsyeja e tij nuk është e ndërtuar mbi logjikën e fjalës, por mbi impresionin personal të ngjyrës.
Aktualisht në Tiranë po ndeshen: fjala e rinisë së kryeqytetit dhe forca e ngjyrës së piktorit Edi Rama, i cili është kryeministri aktual i Shqipërisë.
Po Shqipëria?
Shqipëria është në krizë morale, sepse në kryeqytetin e saj, në Tiranë po ndeshet koloriti i një pikture abstrakte me dëshirën logjike tërësisht universitare që kërkon dorëheqjen e piktorit.
Por piktori Rama nuk e jep dorëheqjen sepse ai mendon se ende nuk e ka përfunduar tablonë e pikturës së tij për pushtetin e vet personal.
Por nuk mund ta fitojë piktura drejtimin e një qyteti.
Në një formë artistike, historia e ka provuar se një pikturë e famshme e ka drejtuar, por në një formë shtetërore, ajo nuk e ka drejtuar dot kurrë një shtet në një formë juridike drejtimi, por, si art figurativ, po, një pikturë e famshme e ka drejtuar: pse a nuk e ka pushtuar Pablo Pikaso Parisin, Francën dhe Evropën me pikturën e tij të famshme – Guernika ( Guernica)?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re