Një mjek i kujdesit paliativ në Gjermani është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për vrasjen e 15 pacientëve të tij.

Gjykata në Berlin vendosi se 41-vjeçari, i identifikuar vetëm si Johannes M., në përputhje me ligjet gjermane për privatësinë, vrau 12 gra dhe 3 burra në periudhën nga shtatori 2021 deri në korrik 2024.

Sipas autoriteteve, këto raste mund të jenë vetëm një pjesë e krimeve të tij. Prokuroria po heton edhe 76 raste të tjera të dyshuara, të cilat, nëse provohen, mund ta bëjnë këtë një nga rastet më të mëdha të vrasjeve seriale në historinë e Gjermanisë.

Viktimat ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç. Edhe pse vuanin nga sëmundje të rënda, gjykata dëgjoi se asnjëri prej tyre nuk ishte në prag të vdekjes.

Prokurorët thanë se gjatë vizitave në banesat e pacientëve, mjeku u administronte pa pëlqimin e tyre një kombinim vdekjeprurës medikamentesh. Në disa raste, ai dyshohet se u vuri zjarrin banesave për të fshehur gjurmët e krimit.

Sipas hetimeve, në korrik 2024, pak para arrestimit, ai vrau dy pacientë brenda së njëjtës ditë: një burrë 75-vjeçar në qendër të Berlinit dhe, disa orë më vonë, një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje. Prokuroria tha se ai tentoi t’i vinte zjarrin shtëpisë së gruas, por nuk ia doli.

Për pjesën më të madhe të procesit gjyqësor, i cili zgjati rreth një vit, Johannes M. refuzoi të dëshmonte. Muajin e kaluar ai pranoi se kishte vrarë 12 pacientë të sëmurë rëndë, duke pretenduar se besonte se po i çlironte nga vuajtjet.

“Gjatë gjithë kohës mendoja se kjo ishte gjëja më e mirë për të gjithë”, deklaroi ai para gjykatës, duke kërkuar më pas falje për vuajtjet që kishte shkaktuar.

Megjithatë, familjarët e viktimave kundërshtuan këtë pretendim. Nëna e viktimës më të re, një 25-vjeçare që humbi jetën në vitin 2021, tha mes lotësh se vajza e saj “kurrë nuk kishte thënë se nuk donte të jetonte më”. Ndërsa djali i një gruaje 72-vjeçare, e cila vdiq në vitin 2024, deklaroi se nëna e tij kishte plane të udhëtonte drejt Detit Baltik me motrën e saj dhe “donte të vazhdonte të jetonte”.

Gjykata e cilësoi fajësinë e mjekut si veçanërisht të rëndë, urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim parandalues edhe pas vuajtjes së dënimit dhe i ndaloi përjetësisht ushtrimin e profesionit të mjekut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re