Në Shqipëri janë ngritur Mekanizmat e Koordinuar të Referimit (MKR) për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në të 61 bashkitë e vendit, por niveli i funksionimit të tyre ndryshon nga një bashki në tjetrën.
Kështu u shpreh Marsela Allmuça, drejtoreshë ekzekutive e qendrës “Strehëza Edlira Haxhiymeri”, gjatë një interviste, ku theksoi se këta mekanizma funksionojnë në nivel vendor dhe përbëhen nga një rrjet institucionesh që kanë përgjegjësi ligjore për trajtimin e rasteve të dhunës.
“Ne kemi ato që njihen si Mekanizmat e Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje, të cilët funksionojnë në nivel vendor. Institucionalisht, ato janë krijuar në 61 bashkitë e vendit dhe përbëhen nga institucione që kanë përgjegjësi ligjore për adresimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Pjesë e tyre janë shërbimet sociale, policia, shërbimet shëndetësore, arsimore, të punësimit, sistemi gjyqësor, si dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat punojnë për adresimin e këtyre rasteve”, u shpreh Allmuça.
Sipas saj, ligji u ka përcaktuar role dhe detyra të qarta të gjitha institucioneve pjesëmarrëse në këtë rrjet, por zbatimi në praktikë nuk është i njëjtë në të gjitha bashkitë.
“Nëse flasim për nivelin e funksionimit, sigurisht që nuk mund të themi se është i njëjtë në të 61 bashkitë. Ka bashki ku menaxhimi i rasteve funksionon mirë ose shumë mirë, por ka edhe bashki ku hasen sfida. Shërbimet shëndetësore janë pjesë e këtyre mekanizmave si në aspektin ligjor, ashtu edhe institucional, dhe kanë detyrime të përcaktuara qartë për trajtimin e rasteve,” theksoi ajo.
Ky shkrim është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit 𝐒𝐌𝐒 𝐅𝐚𝐜𝐢𝐥𝐢𝐭𝐲 – 𝐒𝐦𝐚𝐥𝐥 𝐌𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐒𝐮𝐩𝐩𝐨𝐫𝐭 𝐢𝐧 𝐖𝐞𝐬𝐭𝐞𝐫𝐧 𝐁𝐚𝐥𝐤𝐚𝐧𝐬, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.
