Skip to content

Taulant Balla kundër BIRN, Marjana Koçeku: Sulm publik ndaj gazetarit Erebara! Fjala e lirë s’mund të intimidohet

Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar në lidhje me reagimin e Taulant Ballës ndaj gazetarit të BIRN Gjergj Erebara.

Koçeku është shprehur se BIRN ka qenë ndër vite një nga mediat më serioze në vend, ndërsa shtoi se sulmi publik i Ballës ndaj gazetarit Erebara është një mesazh i gabuar ndaj çdo gazetari dhe qytetari që ushtron profesionin me pavarësi dhe integritet.

“Fjala e lirë nuk hidhet në kosh dhe nuk mund të intimidohet”, u shpreh ajo, teksa shtoi se solidarizohet me gazetarin Erebara.

Reagimi i plotë:

BIRN ka qenë ndër vite nji nga mediat ma serioze dhe ma të besueshme në vendin tonë. Gazetaria investigative asht nji domosdoshmëri për demokracinë. Pikërisht falë punës së gazetarëve të saj, opinioni publik ka njoftë shumë çështje që përndryshe kishin me mbetë në errësinë.

Sulmi publik i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së ndaj gazetarit Gjergj Erebara nuk asht thjesht nji përplasje me nji individ. Asht nji mesazh i gabuem ndaj çdo gazetari dhe qytetari që ushtron profesionin me pavarësi dhe integritet.

Nji nga matësit e pushtetit asht mënyra se si i trajton ata që e kritikojnë atë. Fjala e lirë nuk hidhet në kosh dhe nuk mund të intimidohet.
Solidarizohem me gazetarin Gjergj Erebara dhe do të jem gjithnji në krah të çdo gazetari a media që, me profesionalizëm e guxim, i shërben dhe e shkruan të vërtetën, e mbron interesin publik, të drejtën, dhe e informon qytetarin dhe proteston bashkë me të kundër çdo lloj fallcifikatori politik.