Teksa sot mbahet protesta e 57, aktivisti shqiptar i diasporës së Londrës, Bledar Meti, paralajmëroi një kthim të tretë edhe më të fortë të shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve shqiptare. Në një intervistë për emisionin ‘News24 fundjavë’ me Megi Latifin, Meti tha se do të vendoset se kur do të jetë organizimi në fjalë, në gusht apo shtator.
Ai tha se Rama është konsumuar politikisht, duke u ndalur te disa skandale të ish-ministrave të tij apo dhe te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Aktivisti shtoi se Rama nuk ka tagër moral.
Po ashtu ai pohoi se sëbashku me një grup ka hartuar një portal, ku marrin pjesë aktivistë dhe personalitete më në zë të diasporës, ku bëhen dhe organizimet për tubimin në fjalë.
“Kthimi i tretë do të jetë më i organizuar, me pjesëmarrje më të madhe. Do të asistojmë në një kanalizim institucional. Jemi në dilemën, cila do të jetë më efikase, gushti, apo shtatori. Këto pushime për Diasporën, do të jenë festë dhe protestë. Nuk e shmang dot faktin se janë përpjekur që të na hyjnë në çdo organizim që kemi bërë. Është evidentuar që Tirana të na krijojë pak përçarje. Kemi arritur që të evidentojmë pjesë private të organizimeve tona. Janë publikuar takime shumë të ngushta, pasi kemi qenë 400 veta. Aty ka pasur dhe njerëz që ia kanë shitur shpirtin djallit. Janë përpjekur që të na baltosur, por nuk ia dalin dot. Janë përpjekur që të na hyjnë të na krijojnë përçarje, por nuk do të ndodhë! Ky do të jetë kthimi, e treta dhe e vërteta. I gjithë ky grupim duhet të jetë më i organizuar. Shqiptarë, qëndroni. Shqiptarët e diasporës po punojnë për të ardhur dhe për të qenë gjatë jush. Gjatë gushtit, iu kemi bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës. Festë dhe protestë dhe protestoni.”, tha ai.
