Situata vijon të mbetet shqetësuese në zonën e Fushë-Krujës, veçanërisht në fshatrat Halil dhe Kameras, ku banorët raportojnë se zjarri dhe ndotja nga mbetjet vazhdojnë ende.
Pamjet e dërguara nga banorët tregojnë tymin e dendur dhe përhapjen e zjarrit në një vendgrumbullim mbetjesh, duke ngritur shqetësime për pasojat në mjedis dhe shëndetin e komunitetit.
Sipas banorëve, vatra e zjarrit ndodhet pranë zonave të banuara dhe situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për shuarjen e flakëve dhe marrjen e masave për parandalimin e përsëritjes së kësaj situate. Banorët kërkojnë reagim të institucioneve për zgjidhjen e problemit të mbetjeve dhe shmangien e rrezikut të ndotjes së ajrit në zonë.
