Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj draftit të reformës territoriale të dorëzuar nga Partia Socialiste, duke e cilësuar atë një projekt të motivuar nga interesa elektorale dhe jo nga nevojat e qytetarëve. Sipas Zhupës, drafti parashikon shkrirjen dhe rigrupimin e katër prej gjashtë bashkive që drejtohen nga opozita, Memaliaj, Pukë, Fushë-Arrëz dhe Kavajë, pa një analizë të qartë për përmirësimin e shërbimeve, pa konsultim me komunitetet dhe pushtetin vendor dhe pa transparencë. Ajo theksoi se një reformë territoriale duhet të mbështetet në kritere objektive, si zhvillimi ekonomik dhe interesi i qytetarëve, ndërsa shtoi se reagimi publik dhe denoncimet në kohë bënë të mundur që Konispoli dhe Delvina të mos përfshiheshin në planin e socialistëve për t’u shkrirë.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Reforma territoriale po përdoret si instrument për interesa elektorale të partisë-shtet.
Sot, Partia Socialiste ka dorëzuar një draft të njëanshëm, ku kriteri kryesor nuk është zhvillimi, shërbimet për qytetarët apo eficienca administrative, por llogaritë elektorale.
Nuk është rastësi që 4 nga 6 bashkitë që drejtohen nga opozita, Memaliaj, Puka, Fushë-Arrëzi dhe Kavaja, parashikohen të shkrihen dhe të rigrupohen.
Nuk ka një analizë të qartë për përmirësimin e shërbimeve, nuk ka konsultim me komunitetet dhe pushtetin vendor, nuk ka transparencë. Ka vetëm një objektiv: të ndryshohet harta sipas interesit politik të mazhorancës.
Një reformë territoriale duhet të ndërtohet mbi kritere objektive: zhvillimin ekonomik, lidhjet funksionale mes njësive, aksesin në shërbime publike dhe interesin e qytetarëve, jo mbi interesin e një partie për të kapur zgjedhjet.
Jam e lumtur që, falë reagimit të fortë publik dhe presionit të vazhdueshëm të të gjithë faktorëve, arritëm të mbronim bashkitë e Konispolit dhe Delvinës, të cilat në raportin fillestar të socialistëve ishin shënuar me të kuqe për t’u shkrirë. Ky nuk ishte një krijim mediatik, siç u përpoqën ta paraqisnin, por një plan real që u ndal vetëm sepse u denoncua në kohë.
