Skip to content

Arbjan Mazniku shpjegon draftin e PS për “Territorialen”: Synojmë forcimin e bashkive, të kthehen në institucione në zhvillim

arbjan mazniku

Në një konferencë për mediat, Arbjan Mazniku ka prezantuar propozimin e PS për Reformën Territoriale.

Gjatë fjalës së tij, ndërsa shpjegoi rëndësinë sipas tij e propozimit të PS, tha se me këtë reformë territoriale synohet që Bashkitë të forcohen.

“Bashkitë kthehen në institucione për zhvillim ekonomik. Me reformën territorial synojmë forcimin e Bashkive”, tha ai.

Sipas tij, ndryshimet territoriale duhet të miratohen përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në mënyrë që Shqipëria të hyjë në procesin zgjedhor me një sistem dhe hartë të re administrative.

Ai theksoi se një nga objektivat kryesore të reformës është forcimi i bashkive, përmes strukturave më funksionale dhe më të qëndrueshme ekonomikisht.

“Që kur është krijuar komisioni, afatit i punës së tij ka qenë nëntëmujor dhe dihej se mandati i tij përfundonte në mes të korrikut. Së dyti, në muajin maj të 2027, Shqipëria do ketë zgjedhje vendore, në të cilat duhet të hyjmë me një sistem të ri dhe me një hartë të re territoriale, në mënyrë që të përballemi me ato sfida, që Shqipëria i ka përpara. Pjesë e sfidës që ne kemi përpara është të forcojmë bashkitë tani, të futemi në zgjedhjet e ardhshme me bashki me struktura më të afta ekonomikisht, më të afta funksionalisht”, tha ai.

Kujtojmë se Mazhoranca ka depozituar në Kuvend propozimet e saj për ndarjen e re administrative‑territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive në 46 nga 61 që janë aktualisht.