Skip to content

“Hija e Esat Pashës rikthehet në Shkodër”/ Hapja e konsullatës serbe, Boçi akuza të forta Ramës: Amnezi historike e pabesi! Diplomacia s’ndërtohet duke harruar

auto w3gesvd1659184905

Diskutimet për hapjen e një konsullate të Serbisë në qytetin e Shkodrës ka nxitur reagime të forta politike. Përmes një analize të gjatë, zyrtari i lartë i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, e ka konsideruar këtë hap si një “pabesi dhe amnezi historike” të qeverisë shqiptare.

Boçi shprehet se Shkodra mban mendjen dhe kujtesën kolektive të rrethimit serbo-malazez, ndërsa e krahason qasjen e kryeministrit Edi Rama ndaj këtij vendimi me figurën historike të Esat Pashë Toptanit.

Sipas tij, diplomacia e vërtetë ndërtohet mbi të vërtetën dhe pranimin e përgjegjësive, e jo mbi harresën, veçanërisht kur Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë.\

Reagimi i plotë:

“Shkodra nuk ka nevojë të mësojë historinë nga Tirana. Ajo e ka shkruar vetë. Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo vendim që prek simbolikën e saj duhet të peshohet me shumë më tepër përgjegjësi sesa me aritmetikën e zakonshme diplomatike.

Vendimi për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër është paraqitur nga qeveria si një akt normal diplomatik, madje favorizues duke gjykuar hapjen e asaj shqiptare në Bujanoc. Në letër, ndoshta edhe është. Marrëdhëniet diplomatike janë pjesë e rendit ndërkombëtar. Askush nuk kundërshton dialogun mes shteteve.

Por mos të harrojmë që diplomacia nuk është vetëm çështje dokumentesh. Është edhe çështje simbolesh. Dhe në Ballkan, dihet mirë se simbolet peshojnë më shumë se betoni me të cilin ndërtohen godinat.

Shkodra nuk është një qytet çfarëdo. Është qyteti që i rezistoi rrethimit serbo-malazez. Është qyteti ku kujtesa historike nuk është një kapitull libri, por pjesë e identitetit të banorëve të saj dhe e gjithë Shqipërisë. Është vendi ku emrat e atyre që e mbrojtën qytetin shqiptohen me respekt e përulje nderi. Prandaj nuk është e çuditshme që shumë qytetarë, intelektualë e politikanë e shohin këtë vendim me dyshim.

Por më e çuditshme është mënyra me të cilën qeveria kërkon që një hap i tillë të pranohet si normal. Sikur historia të ishte një aplikacion nga këto që në epokën digjitale bëhen me shumicë e që mund të çinstalohet me një klikim.

E aq më tepër historia nuk mund të jetë kujtesë selektive për të hequr nga memoria rrethimin e Shkodrës, luftërat ballkanike, Kosovën dhe gjithçka tjetër që mund të bezdisë estetikën e diplomacisë së ditës së Ramës e Vuçiç.

Historia është kujtesë kolektive e në këtë pikë, hija e Esat Pashë Toptanit fillon të endet në sfond. Jo sepse historia është identike. Nuk është. Por sepse sa herë interesi politik i ditës vendoset mbi ndjeshmërinë kombëtare, emri i tij rikthehet vetvetiu si metaforë.

Nuk e bëjmë këtë për të gjykuar të tashmen me kategoritë e së shkuarës, e bëjmë për të kujtuar saktë se disa gabime historike fillojnë gjithmonë duke u paraqitur si ‘veprime pragmatike’, apo normale apo më keq akoma si të ‘mençura’ e përfituese siç mundohet të bëjë diplomacia me bekimin e Esatit-Ramë.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur mendon se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Ende refuzon të pranojë shumë të vërteta historike. Ende mbron narrativa që rivrasin të vrarët. Ende mban të pashpallur njerëz të zhdukur, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi.

Por mesa duket, këtu problemi nuk është kujtesa e Serbisë. Problemi është amnezia e qeverisë shqiptare dhe më saktë pabesia e tradhtia e saj.

Shkodrës dhe neve, në emër të ‘fqinjësisë së mirë’, po na kërkohet të sillemi sikur historia të jetë një pengesë administrative. Sikur plagët mbyllen me prerje shiritash apo që respekti ndërtohet duke harruar.

Diplomacia e vërtetë nuk kërkon harresë Zoti Esat-Ramë. Përkundrazi, ajo ndërtohet mbi të vërtetën. Gjermania nuk u pajtua me Francën duke mohuar historinë. Europa nuk ndërtoi paqen duke fshirë kujtesën. Pajtimi fillon me pranimin e përgjegjësive, jo me imponimin e normalitetit artificial.

Prandaj kundërshtimi ndaj këtij simboli nuk është kundër marrëdhënieve diplomatike. Është kundër një mënyre të qeverisjes që i trajton qytetarët si spektatorë pa kujtesë historike dhe Shqipërinë si tokën e askujt.

Hijet e historisë vërtet nuk trembin askënd, por ato bëhen të rrezikshme vetëm atëherë kur pushteti sillet sikur nuk ekzistojnë. Dhe ato duhen eliminuar patjetër sa herë që dikush tradhton vendin në emër të shpëtimit.”