Skip to content

“PS nuk është më parti, por organizatë”/ Protesta në ditën e 68-të, aktivisti Myftari: Rama të merret nën hetim! Mbrojtja e Ballukut tregoi krizën e qeverisë

3333

I ftuar në studio në News24, aktivisti dhe protestuesi Florian Myftari ka komentuar ecurinë e protestave masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar, lëvizje kjo që po vijon prej më shumë se dy muajsh dhe që sot shënon ditën e saj të 68-të.

Gjatë fjalës së tij, Myftari nëvizoi se motivimi kryesor që po i nxjerr qytetarët në rrugë ndërlidhet me akumulimin e padrejtësive, mungesën e sigurisë dhe vështirësitë e përditshme me të cilat përballen familjet shqiptare, përfshirë sfidat në sistemin arsimor.

“Shqipëria ka shumë padrejtësi, mungesë sigurie, vështirësi për të rritur fëmijët në këtë vend, arsimi, etj. Janë të gjitha arsye jo vetëm të miat, por edhe të shumë njerëzve për të protestuar. Ka një ndarje të madhe të shoqërisë dhe pushtetit. Ka një pushtet arrogant dhe të korruptuar që prej shumë kohësh nuk pyet për asnjë gjë dhe ka personalizuar formën qeverisëse në Shqipëri. Shqipëria është vendi ynë dhe ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatet e vendit në dorë,” u shpreh ai.

Më tej, aktivisti u ndal te funksionimi i drejtësisë dhe përgjegjësia e kreut të qeverisë, duke kërkuar që kryeministri të merret nën hetim për të gjitha ngjarjet dhe menaxhimin e punëve publike në vend.

Ai artikuloi akuza të forta lidhur me qëndrimin e mbajtur ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku përballë organeve të drejtësisë, duke e konsideruar këtë ndërhyrje si dëshmi të krizës së thellë brenda partisë në pushtet.

“Kryeministri duhet të merret nën hetim për çdo gjë që ka ndodhur në këtë vend. Shmangia e drejtësisë me ato metoda që ka përdorur dhe mbrojtja e Belinda Ballukut para drejtësisë që e kërkonte ka qenë kriminale. Askush nuk mund të mbrohet para ligjit. Mbrojtja që i bëri asaj tregoi krizën që qeveria ka brenda vetes dhe PS-në, që tani nuk është më parti, por organizatë,” përfundoi Myftari.