Skip to content

Aksident i trefishtë në rrugën Sarandë-Ksamil, plagosen dy turistë spanjollë

sr

Një aksident i trefishtë automobilistik ka ndodhur mesditën e kësaj të enjteje në rrugën nacionale Sarandë–Ksamil, pranë vendit të njohur si Manastiri. Sipas informacioneve paraprake, tre automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy shtetas spanjollë që ndodheshin në Sarandë për pushime.

Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje mbërritën ambulanca dhe shërbimet e policisë, të cilat u kujdesën për transportimin e të lënduarve dhe normalizimin e qarkullimit.

Të plagosurit janë identifikuar si Jove Pibrall Jove, 24 vjeç, dhe Catia Picac, 37 vjeçe. Të dy u dërguan fillimisht në Urgjencën e Spitalit të Sarandës.

Sipas mjekëve, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime në pjesën e mesit dhe, për shkak të gjendjes së tij, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Ndërkohë, 37-vjeçarja ka marrë dëmtime në kokë dhe po merr trajtim në Spitalin e Sarandës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia po heton për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi rrethanat që çuan në përplasjen e tre automjeteve. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.