Skip to content

Deklarata e Zelenskyt nga Serbia/ Deputeti ukrainas kundër: Gabim diplomatik, Ukraina duhet ta njohë Kosovën

Goncharenko

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit Volodymyr Zelensky në Beograd, ku ky i fundit rikonfirmoi qëndrimin e Ukrainës për të mos ndryshuar pozicionin e saj lidhur me Kosovën.

Goncharenko, i cili ka iniciuar në Parlamentin ukrainas projektligjin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka cilësuar deklaratën e Zelenskyt si një “gabim diplomatik”.

Në reagimin e tij në rrjetin social X, deputeti ukrainas ka publikuar edhe një fotografi ku shihet heqja e sloganit “Free Ukraine” nga “Hotel Grand” në Prishtinë.

Goncharenko thekson se mbështetja për pavarësinë e Kosovës ekziston te ukrainasit dhe shprehet se do të vijojë përpjekjet për njohjen e saj nga Ukraina.

“Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, shkroi ai.