43 barna të rimbursueshme janë hedhur në treg pa autorizim dhe nuk rezultojnë në regjistrin e barnave për vitin 2023, sipas raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Sipas KLSH, kjo vjen si pasojë e mungesë së koordinimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucioneve saj të varësisë dhe Agjencisë Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
“Nga verifikimi i 458 barnave të alternativës të parë të listës së barnave të rimbursueshme për vitin 2023, me të dhënat e regjistrit të barnave të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore rezultoi se, 43 barna të alternativës së parë të barnave të rimbursueshme nuk janë të pajisura me autorizim tregtimi dhe nuk rezultojnë në regjistrin e barnave për vitin 2023.
-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucionet e saj të varësisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk janë koordinuar ndërmjet tyre dhe nuk kanë qenë efektive në lidhje me verifikimin nëse barnat që janë alternativë e parë në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2023 janë pajisur me autorizim tregtimi dhe janë të regjistruara në regjistrin e barnave.
– Mungesa e koordinimit për verifikimin e barit të alternativës së parë të barnave të rimbursueshme të cilat nuk janë të pajisura me autorizim tregtimi tregon gjithashtu një përformancë të dobët të bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucioneve të saj të varësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në drejtim të vënies në qarkullim të barnave”, thuhet në raport.

Gjithashtu nga auditi është konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu.
Sipas KLSH, AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat të cilat janë konsideruar nga EMA apo nga institucionet homologe si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara. Gjithashtu nuk ka azhornuar në kohë reale informacionet që vijnë nga institucionet homologe në lidhje me efektet anësore të barnave.
KLSH rekomandon se Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me institucionet e varësisë të marrë masa të qartësojë mënyrën se si duhet të trajtohen barnat pa autorizim tregtimi (që janë alternativë e parë në listën e barnave të rimbursueshme), të cilat duhet të kenë akses në tregun e barnave në vendin tonë dhe kanë një qarkullim të ngadaltë e përdoren për sëmundje të rralla.
Po ashtu kërkon nga MSHMS të gjejë mekanizmat e duhur për informimin masiv e në kohë të popullatës në lidhje me barnat përdorimi i të cilave rezulton problematike për shëndetin e tyre apo janë tërhequr nga tregu e nuk duhet të përdoren.
