Skip to content

Analiza/ Genc Burimi: Pse ky kompleks të themi se mbrojmë shqiptarët kudo ku ndodhen

genc burimi

Një gjë nuk duhet lënë pa komentuar me ashpërsinë e duhur, përtej çështjes së lumit Ibër, që Serbia projekton ta devijojë për të martirizuar Kosovën. Aspekti edhe më revoltues, sipas opinionit tim, është kur Beogradi na thotë, nëpërmjet ministrit të tij të Jashtëm, se Shqipëria duhet ta qepë gojën, meqenëse ky lumë nuk kalon nëpër territorin e saj. Dhe nëse Shqipëria guxon dhe flet, ajo, sipas Beogradit, dëshmon në këtë mënyrë se i fryn ëndrrës së Shqipërisë së Madhe.

Surrealiste! Por edhe më surrealiste është kur nuk hasim në asnjë deklaratë kundërpërgjigjeje të politikanëve në Shqipëri këto ditë, duke filluar nga Kryeministri, për t’i rikujtuar Serbisë këtë të vërtetë elementare: se ajo ia autorizon vetes, dhe me shumë të drejtë, të shqetësohet se çfarë ndodh me serbët kudo në Ballkan, nga Kosova në Mal të Zi e deri tek ata në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa Tiranës, Beogradi, pa pikë turpi, ia mohon ta ushtrojë edhe ajo këtë të drejtë elementare, që Shqipëria të shqetësohet për atë që ndodh me shqiptarët jashtë kufijve të saj. Për më tepër, ka shumë shqiptarë që jetojnë në Kosovë të pajisur me pasaportë shqiptare, ashtu siç ka shumë serbë në Mal të Zi që kanë edhe pasaportë serbe.

Një shembull tjetër: a nuk shqetësohet Greqia, vend i BE-së, natë e ditë jo vetëm se çfarë ndodh me minoritetin grek në Shqipëri, por edhe me qipriotët që flasin greqisht? Nëse Turqia do t’i bënte një bllokadë detare apo ajrore Nikozisë për ta penguar atë në transport, Greqia e para do të reagonte shumë ashpër dhe më shumë se çdo vend tjetër, sepse bëhet fjalë për shtetas që flasin greqisht dhe që ajo i mbron para së gjithash.

Dhe Greqia pikërisht kështu reagoi në mbështetje të Nikozisë në çështjen konfliktuale, kur Turqia kërkonte t’i zaptonte zonat detare me hidrokarbure. Askush nuk u dëgjua të thoshte: “Pse fut hundët Greqia?”, sepse pikërisht janë grekë ata që banojnë në Qipron greke.

Atëherë, pse klasa jonë politike e lejon që Beogradi t’i thotë Tiranës të qepë gojën, kur Serbia po përgatitet t’i bëjë bllokadë uji Kosovës, domethënë shumicës shqiptare që banon aty?

Ndaj nuk ka nevojë dhe vend për justifikime të panevojshme të Edi Ramës, nëse po tregohemi apo jo “shqiptaromëdhenj” duke kritikuar Serbinë për horrorin që po përgatitet t’u gatuajë shqiptarëve të Kosovës me çështjen e ujit.

Duhet thënë ballëhapur, gojëplot dhe pa më të voglin kompleks se Shqipëria mbron energjikisht të drejtat e të gjithë atyre që kanë identitet shqiptar, kudo ku ndodhen, ashtu siç e bën çdo vend tjetër në botë ndaj komuniteteve me të cilat ndajnë të njëjtin identitet etnik, gjuhësor, historik dhe kulturor.

Serbia s’mund t’i kërkojë kurrë Shqipërisë të mos bëjë atë që vetë Serbia bën për serbët jashtë saj.

Por edhe nëse na kërkon të heshtim, kujt i bëhet vonë?

Qentë le të lehin…