Skip to content

Debati i Ramës me kryebashkiakët/ “Si mbledhjet e celulave komuniste!”, reagon PD, Kedhi: Kryeministri në panik, shpërthen ndaj të vetëve

ee45e775 430c 4a89 b673 885ce41da51f

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka reaguar lidhur me takimin e kryeministrit Edi Rama me kryetarët socialistë të bashkive në Kuç të Vlorës, duke e cilësuar atë si një “seancë kërcënimesh dhe sharjesh” dhe jo si një proces konsultimi për reformën territoriale.

Sipas Kedit, Rama kishte thirrur kryetarët e bashkive për konsultim mbi ndryshimet e propozuara në hartën territoriale, por takimi, sipas tij, u shoqërua me tensione dhe disa kryetarë bashkish u nxorën jashtë mbledhjes. “Dje, në Kuç të Vlorës, Edi Rama mblodhi kryetarët socialistë të bashkive që ka vendosur t’i shkrijë, si pjesë e hartës elektorale që ai quan Reformë Territoriale. I kishte thirrur për konsultë, por shpejt ‘seanca konsultative’ u kthye në sesion kërcënimesh dhe sharjesh”, deklaroi Kedhi.

Ai e krahasoi situatën me “mbledhjet e celulave komuniste”, duke akuzuar kryeministrin se po përballet me rritje të kundërshtimit ndaj reformës territoriale. Sipas nënkryetarit të PD-së, në disa bashki dhe komunitete, përfshirë Poliçanin, Selenicën, Divjakën dhe Dimalin, qytetarët po kundërshtojnë ndryshimet e propozuara dhe po organizojnë protesta.

Kedhi pretendon gjithashtu se kundër shkrirjes së disa bashkive kanë votuar unanimisht edhe këshilla bashkiakë, duke e cilësuar këtë si shenjë të pakënaqësisë edhe brenda strukturave vendore të Partisë Socialiste. “Problemi për Ramën nuk është reforma territoriale. Problemi është se, pas vitesh presioni, arrogancë dhe kontrolli absolut, njerëzit kanë filluar t’i thonë jo. Madje po i thonë jo edhe të tijtë”, u shpreh ai.

Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:

Dje, në Kuç të Vlorës, Edi Rama mblodhi kryetarët socialistë të bashkive që ka vendosur t’i shkrijë, si pjesë e hartës elektorale që ai quan Reformë Territoriale. I kishte thirrur për konsultë, por shpejt ‘seanca konsultative’ u kthye në sesion kërcënimesh dhe sharjesh. Disa kryetarë bashkish u nxorën jashtë.

Kështu i koncepton dëgjesat Edi Rama. Kur sillet kështu me të zgjedhurit, imagjinoni çfarë bën me ata që ka emëruar vetë. Për njerëzit e thjeshtë nuk keni nevojë të lodhni imagjinatën, sepse e keni parë me zë dhe figurë si i fyen dhe poshtëron.

Kjo skenë, si në mbledhjet e celulave komuniste, ku bashkëpunëtorët përjashtoheshin nga mbledhja dhe partia, dhe pastaj ‘dekoroheshin’ me një plumb, tregon Ramën në panik.

Në Poliçan, në Selenicë, në Divjakë, në Dimal dhe në komunitete të tjera, qytetarët po kuptojnë se nuk janë të dënuar të pranojnë çdo vendim që vjen nga Tirana.

Po kundërshtojnë. Po protestojnë. Po flasin. Po vrasin frikën. Dhe pikërisht këtë Rama nuk e duron dot. Një dekadë propagandë, trysni, presion, po shkërmoqet. Milionat e hedhura për patronazhim dhe grabitje zgjedhjesh, e kupton se nuk mjaftojnë më.

Qytetarët, përfshirë dhe socialistë, po e refuzojnë autokracinë, arrogancën dhe përbuzjen që ai shfaq për ta. Disa këshilla bashkiakë kanë votuar unanimisht kundër shkrirjes.

Problemi për Ramën nuk është reforma territoriale. Problemi është se, pas vitesh presioni, arrogancë dhe kontrolli absolut, njerëzit kanë filluar t’i thonë jo. Madje po i thonë jo edhe të tijtë. Dje pamë reagimin e tij, harbutërinë ndaj njerëzve që janë të zgjedhur vendorë, jo nëpunës të Kryeministrisë.

Por ka edhe një absurditet tjetër. Pas gjithë kësaj, propaganda qeveritare na thotë se Edi Rama ‘ka nisur konsultimet’. Konsultimet për çfarë? Për një hartë elektorale që e ka bërë pa pyetur kënd? Për bashki që i ka shpallur publikisht se do t’i shkrijë? Për një vendim politik që ua ka urdhëruar komuniteteve dhe tani kërkon prej tyre ta pranojnë?

Ky nuk është konsultim. Konsultimi nuk bëhet për të bindur qytetarin për një vendim të marrë më parë. Konsultimi bëhet që mendimi i qytetarit të ndikojë te vendimi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve për ndryshimin e kufijve dhe konsultimin e autoriteteve vendore, në kohën e duhur, për çështjet që i prekin drejtpërdrejt.

Partia Demokratike ka një koncept krejt tjetër për pushtetin vendor. Ne besojmë te decentralizimi i kompetencave dhe financiar, jo te përqendrimi i pushtetit. Te bashkitë dhe shërbimet pranë qytetarit, jo te bashkitë gjigante larg tij. Te komuniteti që vendos për veten dhe ruan identitetin e vet, jo te Kryeministri që vendos për çdo komunitet.

Këto parime ndajnë dhe qytetarët kudo në Shqipëri. Ndaj sot vendi është ngritur në protestë. Shqiptarët po humbin frikën dhe kanë kuptuar se zëri i tyre ka vlerë dhe një Shqipëri tjetër është e mundur. Ne jemi ne krah te qytetareve dhe komuniteteve ne betejen e tyre për të mbrojtur identitetin dhe të ardhmen. Dje në Kuç nuk pamë forcën e Edi Ramës. Pamë panikun e dordolecit në krye të arës që nuk tremb më askënd.