Kreu i Bashkisë së Selenicës Nertil Bellaj është kundër shkrirjes së bashkisë që drejton. “Propozimin për shkrirjen e Bashkisë së Selenicës e mësova pas publikimit të draftit në media”. Kështu u shpreh kryebashkiaku Nertil Bellaj, i cili mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Këshilli Bashkiak, për të diskutuar për reformën territoriale. Bellaj e konsideron të padrejtë zhbërjen e Bashkisë Selenicë, duke argumentuar se nuk përbën barrë buxhetore për shtetin, pasi renditet ndër bashkitë me nivelin më të lartë të performancës institucionale.
Këshilltarët, të majtë e të djathtë u shprehën kundër shkrirjes së bashkisë, duke e cilësuar një vendim që dëmton përfaqësimin dhe interesat e banorëve. Ata shtruan të njëjtën pyetje: Përse një banor i fshatrave malorë të Labërisë të paguajë të njëjtat taksa si një banor që jeton në zonat më të lakmuara të Vlorës?
Këshilltarët iu bënë thirrje deputetëve të zgjedhur në zonën e Labërisë të ngrenë kartonët kundër zhbërjes së Selenicës dhe bashkimit me Vlorën. Në mbledhje morën pjesë edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë, të cilët njëzëri u shprehën kundër bashkimit me Vlorën, duke u zotuar se nuk do t’i ndalin protestat.
