Skip to content

“Rama ka vetëm një rrugë, të japë llogari!” / Aktivisti i diasporës Petrit Tafaj: Qeveria e korruptuar dhe deputetët pa moral! Protesta duhet të vijojë

3424234

Aktivisti i diasporës shqiptare në Gjermani, Petrit Tafaj, i ftuar në studion e News24, ka analizuar qëndresën qytetare që vijon prej më shumë se 75 ditësh radhazi në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Gjatë fjalës së tij, Tafaj vlerësoi qëndrueshmërinë e tubimit dhe diversitetin e mesazheve që përçohen çdo ditë nga qytetarët në platformën e protestës:

“Protesta ka një qëndrueshmëri dhe diversitet në fjalimet e njerëzve, secili e paraqet ashtu si e mendon dhe logjikon dhe më duket interesante. Kryesorja është të vazhdojmë dhe kërkesat duhet të jenë të pandalshme. Protesta është mjet i domosdoshëm, është kërkesë politike.”

Aktivisti nga Gjermania artikuloi akuza të forta ndaj ekzekutivit, duke e cilësuar qeverinë jo vetëm si të korruptuar, por edhe si një kabinet që torturon qytetarët e vet. Lidhur me përgjegjësinë e kryeministrit dhe qëndrimin e ligjvënësve në Kuvend, ai u shpreh:

“Kjo qeveri është jo vetëm e korruptuar por i torturon qytetarët e saj. Rama ka vetëm një rrugë, burgun, në kontekstin që të japë llogari për të gjitha veprimet e tij. Mua më shqetëson mungesa e moralit të deputetëve shqiptarë. Të shkosh në parlament dhe të ngresh kartonët që të mos humbasësh rastin të bëhesh sërish deputet, mua më duket e pamoralshme.”