Një dokumentar i ri me pamje nga prapaskenat e Manchester Cityt ka zbuluar detaje emocionale nga largimi i Kevin De Bruyne, pas një dekade të jashtëzakonshme me klubin anglez.
Mesfushori belg njoftoi në prill të vitit të kaluar se do të largohej nga City në fund të sezonit 2024/25, pas 10 vitesh të mbushura me trofe. Më pas ai iu bashkua Napolit në Serie A.\
De Bruyne fitoi me Manchester Cityn gjashtë tituj të Premier League, pesë Kupa të Ligës, dy FA Cup dhe një Ligë të Kampionëve.
Por dokumentari i ri me katër pjesë, “A Beautiful Obsession”, tregon se ndarja nuk ishte aspak e lehtë për belgut.
Sipas BBC-së, De Bruyne shpërtheu në lot pasi mësoi se klubi kishte vendosur të mos ia rinovonte kontratën, ndërsa ai foli edhe për ndikimin që ky vendim pati te familja e tij.
Edhe trajneri Pep Guardiola shfaqet emocional në dokumentar, duke folur për vështirësinë e vendimit për të lënë të largohej një prej lojtarëve më të rëndësishëm në historinë e klubit.
“Më vret. Pa Kevin, ajo periudhë, harrojeni. Ai po qante këtu, në zyrë. O Zot. Kam shumë dashuri për atë lojtar. Kemi përjetuar gjëra të jashtëzakonshme së bashku. Pastaj duhet të jesh më i ftohtë”, shprehet Guardiola.
Disa javë pas konfirmimit të largimit, De Bruyne kishte pranuar se ishte befasuar që nuk kishte marrë asnjë ofertë për rinovimin e kontratës.
“Nuk kam marrë asnjë ofertë gjatë gjithë vitit, ata thjesht morën një vendim”, kishte deklaruar belgu.
Ai kishte shtuar se ende e ndiente veten të aftë për të luajtur në nivelin më të lartë, por e kuptonte se klubet duhet të merrnin vendime për të ardhmen.
Dokumentari pritet të sjellë edhe më shumë pamje nga marrëdhënia mes Guardiolës dhe De Bruynes dhe momentet e fundit të një epoke të artë në Manchester City.
