Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka raportuar një rritje të rasteve të fruthit, me 25 raste të reja të konfirmuara vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 137 raste me fruth. Shifra paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën 2021–2024, kur në vend ishin evidentuar vetëm tri raste, të gjitha të importuara.
Prishtina kryeson me numrin më të madh të rasteve, ku deri tani janë konfirmuar 47 raste.
Për shkak të rritjes së infektimeve, IKSHPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit në komunat më të prekura. Deri tani janë vaksinuar 276 fëmijë që nuk e kishin marrë vaksinën MMR në kohën e përcaktuar nga kalendari i rregullt i imunizimit.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që personat me simptoma të dyshimta, si temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose skuqje të syve, të kërkojnë sa më shpejt ndihmë mjekësore.
Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse
Fruthi përhapet përmes ajrit dhe konsiderohet një nga sëmundjet më ngjitëse. Rikthimi i rasteve në Kosovë lidhet edhe me rënien e mbulueshmërisë së vaksinimit me MMR.
Epidemiologia e IKSHPK-së, Edita Goranci, ka deklaruar se kur mbulueshmëria me vaksinën kundër fruthit ka qenë mbi 95 për qind, situata epidemiologjike ka qenë e qetë.
Sipas saj, rastet e reja janë shfaqur kryesisht në zona ku ka fëmijë të pavaksinuar.
Goranci ka sqaruar se doza e parë e vaksinës MMR siguron mbrojtje për rreth 93 për qind të personave, ndërsa pas dozës së dytë mbrojtja arrin në rreth 97 për qind.
Një fëmijë i infektuar mund të transmetojë virusin te rreth 90 për qind e personave të pavaksinuar me të cilët ka kontakt. Virusi përhapet përmes ajrit gjatë kollitjes, teshtitjes apo të folurit dhe mund të qëndrojë në ajër ose në sipërfaqe deri në dy orë.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, ethe, rrjedhje të hundëve, skuqje të syve dhe dhimbje fyti, ndërsa më pas shfaqet skuqja karakteristike në lëkurë.
Fruthi mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe, në raste të caktuara, mund të jetë edhe vdekjeprurës. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë vitit 2024 më shumë se 95 mijë persona humbën jetën nga fruthi në mbarë botën, shumica fëmijë nën moshën pesë vjeç.
