Atalanta i ka dhënë përshëndetjen kapitenit të Kombëtares, Berat Gjimshitit. Klubi bergamask ka falendëruar shqiptarin për kontributin e dhënë në skuadër dhe i uroi fat në të ardhmen. Ndërkaq, përmes një mesazhi, Berat Gjimshiti u shpreh mirnjohës ndaj klubit për mundësitë e dhëna, ndërsa theksoi se Bergamo është shtëpia e tij.
“Faleminderit nga zemra, Gjimshiti”. Me këto fjalë, Atalanta zyrtarizoi largimin përfundimtar të kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i cili do të vijojë karrierën te Al Diriyah në kampionatin e Arabisë Saudite.
Vetëm gjashtë ditë më parë, qendërmbrojtësi kuqezi i dha lamtumirën klubit bergamask përmes një postimi në Instagram, duke përshëndetur tifozët dhe qytetin ku kaloi një dekadë të karrierës së tij. Një periudhë e gjatë, e kurorëzuar edhe me triumfin në Europa League.
Në komunikatën zyrtare, Atalanta vlerëson kontributin e 33-vjeçarit shqiptar, i cili e veshi 334 herë fanellën zikaltër dhe shënoi 10 gola, duke u kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të historisë së fundit të klubit.
Kulmi i këtij rrugëtimi erdhi më 22 maj 2024, kur Atalanta fitoi trofeun e parë ndërkombëtar në historinë e saj, Europa League. Një finale që Gjimshiti e luajti si kapiten i skuadrës.
Ndërkaq, përmes një mesazhi përshëndetës, Gjimshiti falënderoi tifozët, stafin dhe drejtuesit, duke e cilësuar Bergamon si shtëpinë e tij ku u rritën tre fëmijët e tij. Mbrojtësi theksoi se dha gjithçka në fushë dhe u shpreh se ky transferim është thjesht një mirupafshim për qytetin italian.
“Është koha për t’u përshëndetur. I pari që duhet falënderuar është klubi, për shumë vitet që kam kaluar këtu. Si çdo gjë në jetë, ka një fillim dhe një fund. Kjo e fundit ka mbërritur tani. Dua të falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen e tyre, për transfertat, për shtytjen që na dhanë në fushë. Kemi fituar dhe vuajtur së bashku. Është një mirupafshim, në futboll thuhet njëlloj si në jetë. Shpresoj të shoh shumë njerëz përsëri; patjetër do të kthehem në Bergamo sepse është shtëpia ime”.
Pas dhjetë vitesh në Bergamo, Berat Gjimshiti nis tani një kapitull të ri të karrierës. Mbrojtësi shqiptar është transferuar te Al Diriyah për rreth 3 milionë euro dhe tashmë ka nisur aventurën e tij të re në Arabinë Saudite.
