Skip to content

10 vatra zjarri aktive në vend/ Vijon ndërhyrja në disa qarqe. Në terren 240 FA, 4 helikopterë dhe 2 avionë

zjarret

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 14:00 të 21 gushtit janë regjistruar 16 vatra zjarri në të gjithë vendin, 10 prej të cilave vijojnë të jenë aktive dhe 2 janë nën mbikëqyrje.

Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar 240 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.

Në Gojan–Gjegjan të Pukës, situata paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Në terren vijojnë operacionet me forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura. Mjetet janë pozicionuar në zonat ku ekziston rreziku i riaktivizimit.

Në Dukat të Vlorës, operacioni vijon në zonën e Shatës, ku zjarri është përhapur gjatë natës në drejtim të malit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, banesat nuk janë në rrezik. Në operacion po përdoren edhe dy avionë Air Tractor.

Në Mal Milot të Kurbinit, vijon puna për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa në terren janë angazhuar forca të zjarrfikësve, policisë, bashkisë dhe Forcave të Armatosura, me mbështetje ajrore nga një helikopter.

Ndërkohë, në Dajt të Tiranës po punohet për izolimin e vatrave të mbetura. Një pjesë e tyre është izoluar plotësisht dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes njofton se në vatrat e tjera vijon ndërhyrja dhe monitorimi, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës dhe parandalimin e riaktivizimeve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.