Skip to content

Qëlloi me armë zjarri drejt makinës së 24-vjeçarit në Kuçovë, arrestohet autori i dyshuar

kucove policia

Një 32-vjeçar u arrestua nga policia, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një 24-vjeçari, në lagjen “1 Maji” të Kuçovës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, kur shtetasi me inicialet S. R., 24 vjeç, ka njoftuar Policinë se në drejtim të automjetit të tij, i cili ishte i parkuar, ishte qëlluar me armë zjarri. Pas veprimeve të shpejta hetimore, Policia ka arrestuar shtetasin me inicialet A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, banues në Kuçovë.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po punohet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Kuçovë/ Qëlloi me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar, brenda pak orëve kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Në pranga edhe një shtetas tjetër, i dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit. Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, vijuan veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës së koordinuar, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasve A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Xh., në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetasve:
– A. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
– A. Xh., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.”, sqaron policia.