Kryeministri në detyrë tha se qëndrimi i Kievit për mosnjohjen e Kosovës nuk qëndron as para fakteve historike dhe as para të drejtës ndërkombëtare, por theksoi se mbështetja e Prishtinës për Ukrainën do të vazhdojë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shfrytëzoi ceremoninë për 35-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës për t’iu përgjigjur edhe deklaratës së presidentit Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Beograd në fillim të muajit përsëriti se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova beson se ky qëndrim nuk qëndron as para fakteve historike dhe as para të drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se Prishtina mirëpret njohjen nga Ukraina dhe nga çdo shtet tjetër që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Kievi ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ky qëndrim u përsërit para dy javësh. Ne besojmë se ai qëndrim nuk qëndron as para fakteve historike, as para të drejtës ndërkombëtare dhe do ta themi këtë sa herë të jetë nevoja, njëjtë siç e mirëpresim njohjen e pavarësisë nga Ukraina dhe çdo shtet tjetër liridashës e paqedashës që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Kosova dhe populli shqiptar qëndrojnë jo vetëm në vendin e tyre, por edhe në të drejtën e tyre historike” tha Kurti.
Megjithatë, ai theksoi se mbështetja e Kosovës për Ukrainën nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e kushtëzuar nga kjo çështje.
“Por, solidariteti ynë me Ukrainën nuk ka qenë kurrë transaksion. Kosova e mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës sot njësoj si dje, sepse jemi solidar me një popull që mbron lirinë e vet dhe të drejtën e vetë për të ekzistuar si shtet.Gëzuar Ditën e Pavarësisë!Slava Ukraini!”, shtoi ai.
