Mirjan Aliaj, aktivist në protestat qytetare përballë Kryeministrisë i ftuar në News 24 foli për demonstratat që po vazhdojnë edhe pas më shumë se tre muajve, kundër keqqeverisjes.
Aliaj shprehet se pushteti i Ramës i ka ditët e numëruara. Ai shtoi se qytetarët janë duke i dalë përballë kokës së korrupsionit, që është kreu i qeverisë. Sipas Aliajt, qytetarët nuk ndalen deri në rrëzimin e këtij pushteti.
“Jam përpjekur që të jap kontribut për vendin tim, duke protestuar kundër padrejtësive që ndodhin në Shqipëri. Ne po ballafaqohemi me kokën e korrupsionit, që është Edi Rama.
Rama e pa se ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë dhe përballë, prandaj dhe del edhe nga dyer të fshehta të Kryeministrisë. Tani është një çështje qëndrese dhe mendoj se Edi Rama edhe për disa javë, nuk do të ketë më hesap të qëndrojë në pushtet”, u shpreh Aliaj.
Kanë kaluar 95 ditë që nga nisja e protestave kundër pushtetit në vend, teksa mijëra qytetarë mbushin sheshet kundër korrupsionit e keqqeverisjes. Shtatori pritet të jetë një muaj i mbushur me aksione qytetare ndaj keqqeverisjes.
