
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar të stabilizimit në Gaza. Marrëveshja për pjesëmarrjen e saj është nënshkruar në Prishtinë, gjatë vizitës së komandantit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers.
Marrëveshja e Participimit u nënshkrua mes përfaqësuesve të Bordit të Paqes/ISF Gaza dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësues të Bordit të Paqes.
Gjatë vizitës, gjeneralmajor Jasper Jeffers vlerësoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në misionin ndërkombëtar, i cili lidhet me përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet në Gaza.
Nga ana e Kosovës, pjesëmarrja e FSK-së shihet si pjesë e angazhimit në misionet ndërkombëtare të sigurisë. Sipas FSK-së, synimi është rritja e kontributit të Kosovës në sigurinë ndërkombëtare dhe kalimi nga një “importues i sigurisë” në një “eksportues të saj”.
Nënshkrimi i marrëveshjes formalizon pjesëmarrjen e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza dhe i hap rrugë angazhimit të saj në këtë mision.
Marrëveshja vjen në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizimin dhe ruajtjen e sigurisë në Gaza, ndërsa Kosova synon të rrisë rolin e saj në misionet ndërkombëtare së bashku me aleatët dhe partnerët.
