Deputetja e Partisë Demokratike dhe drejtuese politike për Delvinën, Ina Zhupa, ka reaguar pas intervistës të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për gazin e Delvinës dhe një skemë të mundshme grabitjeje të kësaj pasurie natyrore.
Zhupa thekson se disa prej denoncimeve të mëparshme të Ahmetajt, përfshirë ato për “koordinatorin e krimit”, kantinën e verës dhe Tunelin e Llogarasë, sipas saj kanë rezultuar të sakta, ndaj kërkon që edhe pretendimet e tij për gazin e Delvinës të hetohen. Ajo ndalet edhe te personazhi Ron Yefet, duke i bërë thirrje SPAK-ut të sqarojë marrëdhëniet dhe interesat që qëndrojnë pas kësaj çështjeje dhe rolin e tij në disa afera të përmendura.
Sipas Zhupës, gazi i Delvinës, ashtu si tokat, bregdeti, zonat e mbrojtura dhe hidrokarburet e tjera, rrezikon të trajtohet si pasuri për t’u ndarë mes klientëve të pushtetit, ndërsa ajo e cilëson këtë si pjesë të një modeli që e ka kthyer shtetin në “pronë private”.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Arben Ahmetaj ka bërë deklarata dhe denoncime të mëparshme nga koordinatori i krimit, kantina e verës, Tuneli i Llogarasë e me radhë që kanë dalë plotësisht të sakta. Prandaj, kur sot ai flet për gazin e Delvinës dhe një skemë të mundshme grabitjeje, kjo kërkon hetim, ashtu si çdo skemë tjeter që denoncoi.
Si drejtuese politike dhe deputete që përfaqëson Delvinën, një zonë e pasur në burime natyrore po e varfër sepse nuk është menduar si ta zhvillojmë po si ta vjedhin, i kërkoi SPAK të nis menjëherë hetimet.
Një personazh si Ron Yefet fliste në përgjime sikur diskutonte për mallin e vet, ku administrator ishte Edi Rama. Ndërkohë që në letrat e shtetit shqiptar nuk ka asnjë post zyrtar. Le të na sqaroi SPAK rolin e tij, a është koordinatori i radhës i krimit? Sekseri i radhës i familjes? Apo një tjetër hallkë e mekanizmit që e ka kthyer shtetin në pronë private?
Ahmetaj zbuloi edhe njëhere modelin Rama, modelin e një organizate kriminale. Një shtet privat ku ministrat bëhen lolo, ligjet zbatohen sipas interesit dhe pasuritë e shqiptarëve trajtohen si mall për miqtë dhe klientët e pushtetit.
Tokat, bregdeti, zonat e mbrojtura, armët dhe tani gazi i Delvinës, gjithçka duket se kthehet në një mundësi për dikë që ka lidhjen e duhur me pushtetin.
Rama e trajton Shqipërinë si plaçkën e vet, që ndahet me sekserët e radhës, ndërsa një grup pasurohet dhe shqiptarët varfërohen, qytetet boshatisen dhe pasuritë kombëtare humbasin.
Gazi i Delvinës nuk është pronë e askujt në pushtet. Është pasuri e shqiptarëve. Dhe çdo dyshim për një skemë grabitjeje duhet të hetohet deri në fund.
https://www.facebook.com/share/p/1HaaR4HXgR/?mibextid=wwXIfr
